
Çmendin Athinën, Beogradin e Shkupin, por jo Tiranën. Kalojnë kaq pranë nesh, por pa na prekur. Sot në stadiumin e Shkupit, kitaristi Carlo Santana jep një koncert live. Një rast i jashtëzakonshëm, i cili prej muajsh pritet jo vetëm në Maqedoni, por edhe në vendet e tjera fqinje. Madje posterat e koncertit të tij të sotshëm, i gjen edhe në qendër të Tiranës. Organizatorët e koncerti presin që shumë adhurues nga Shqipëria të kitaristit të jenë sot në Shkup. Dhe kjo për shkak të lehtësirave në qarkullimin mes dy vendeve, pa pasur nevojën e vizave, për të kaluar kufijtë. Ndërkaq, ardhja e artistëve të nivelit të tillë në Shqipëri, duket mollë e ndaluar, për shkak të spektatorit të pakët dhe mungesës së tregut muzikor.
Mësohet se Carlos Santana mbërrin sot në Shkup nga Athina, ku ka pasur edhe një koncert në stadiumin Olimpik dhe u ndoq nga 20 mijë vetë. Sipas organizatorëve të koncertit, Santana ka paralajmëruar të performojë në Shkup rreth 120 minuta, por edhe më shumë. Ai do të luajë në skenë hitet më të mira të karrierës së tij 40- vjeçare. Kitaristi do të jetë i shoqëruar nga 30 persona të stafit të ngushtë. Në grupin që mban emrin e tij, bëjnë pjesë virtuozë të muzikës si Chester Thompson, Denis Chambers, Karl Perrazo, Bill Ortiz, Jeff Cressman, Tommy Anthony, Tony Lindsay, Rul Rekoë, Benny Rietveld, Tommy Anthony, etj., por nuk do të mungojnë edhe balerinat latino-amerikane. Në një konferencë për shtyp të mbajtur në Shkup, Drejtori i Produksionit "Avalon", që mundësoi koncertin, Boban Millosheski është shprehur se pritet që në shkallët e stadiumit do të jenë mbi 1500 kosovarë. E njëjta pjesëmarrje është parë edhe në koncertin e Lenny Kravitz. "Presim të kemi mbi 15 mijë adhurues të Santanas në Stadiumin e Qytetit, në Shkup. Ky do të jetë koncerti më spektakolar që është organizuar ndonjëherë në Maqedoni", - ka thënë Millosheski. Për fansat shqiptarë nga Kosova dhe Shqipëria është organizuar një "after party" në klubin "Kapan An" në Çarshinë e Vjetër, ku do të performojë një nga grupet më të mira në rajon, "Lilit VS Amon Mra". Rrugëtimi evropian i Santanës nisi në muajin prill në Bukuresht, për të vijuar më tej në Stamboll e Athinë. Pas Shkupit do të vijojë në Beograd, ku pritet të ndiqet nga 30 mijë spektatorë, në Kroaci, Itali, Austri, Gjermani.
Kitaristi
Në karrierën e tij të gjatë, kitaristi Carlo Santana ka shitur më shumë se 90 milionë albume dhe ka luajtur për më shumë se 100 milionë njerëz përreth botës. Është nderuar me 10 çmime Grammys dhe 3 çmime Latin Grammys. Është anëtar i "ROCK & ROLL HALL OF FAME" dhe renditet i 15-i më listën e përjetshme "100 kitaristët më të mëdhenj të botës". Ka bashkëpunuar me të gjithë emrat më të mëdhenj të muzikës xhaz, rrok, bluz, latinë dhe pop. Janë pa fund albumet që ka nxjerrë bashkë me grupin që mban emrin e tij "Santana", por ndër këngët, apo singëllat më të njohur të tij janë "Black Magic Woman", "Maria, Maria", "Smooth", "The Game of Love", "Just Feel Better", etj.
Pse jo në Shqipëri
Organizatorët e koncerteve të mëdha në Shqipëri, do ta kishin zili një ngjarje të tillë. Vitet e fundit edhe Shqipëria u rendit më në fund në kalendarët e muzikantëve të njohur botërorë, por Carlo Santana është një mit dhe ardhja e tij këtu, është gati ëndërr. Agjentët shqiptarë janë të ndërgjegjshëm që një gjë e tillë është e pamundur, pasi biletat e shitura nuk do të justifikonin asnjëherë koston e ardhjes së muzikantit, që do të thotë "rrënim" për ta. Por nga ana tjetër, Shqipëria nuk përbën treg muzikor për këngëtarët e huaj, të cilët i shfrytëzojnë koncertet për të shitur albumet e tyre. Tregu muzikor në Shqipëri nuk ekziston. Kjo është arsyeja pse Cravitz, apo Santana i kalojnë vetëm pranë Shqipërisë.
burimi i marre nga panorama.com.al
Nessun commento:
Posta un commento