BBCAlbanian.com | News | Albanian News index

giovedì 9 luglio 2009

'The Economist': Koalicioni i Berishës, s'është i qëndrueshëm

Partia Demokratike e qendrës së djathtë, e udhëhequr nga Sali Berisha, ka ndërtuar një koalicion që e mban në pushtet pas zgjedhjeve parlamentare. Megjithatë, Kodi i ri, sipas të cilit u zhvilluan zgjedhjet, rezultoi me një përfundim thuajse të barabartë mes PD dhe rivales së saj, Partisë Socialiste, për herë të parë pas rënies së komunizmit. Me një shumicë shumë të ngushtë, PD është vetëm një krizë larg humbjes së pushtetit. Kështu që për herë të parë që pas trazirave të vitit 1997, qeveria e re mund të mos mbyllë një mandat të plotë.

Tani Shqipëria gjendet me një qeveri të re në horizont, një javë pas zgjedhjeve të përgjithshme. Numërimi i pjesshëm i dha PD një kryesim të lehtë ndaj PS, rreth 46 me 45 për qind, çka i nxiti zyrtarët demokratë që më një korrik të pretendonin se partia e tyre do të kishte 71 mandate - një shumicë shumë e ngushtë - në parlamentin prej 140 vendesh. Fillimisht këto pretendime u kundërshtuan nga PS. Më 3 korrik, autoritetet zgjedhore konfirmuan rezultatin: PD 46.7 për qind, 71 mandate, PS 45 për qind, 65 mandate. Pas kësaj u lajmërua se LSI, e cila mori rreth 5.6 për qind dhe ka 4 mandate, do t'i bashkohej PD në koalicionin qeverisës. Me 75 mandate, zoti Berisha do të ketë një shumicë funksionale.


Jo sipas planifikimit

Megjithëse PD dhe PS kanë dominuar gjatë politikën shqiptare, qeveritë kanë patur prirjen të jenë koalicione, duke patur parasysh që partitë e vogla kanë arritur të përfaqësohen në parlament. Në një përpjekje për të eliminuar peshqit e vegjël, partitë e mëdha bashkëpunuan për të krijuar një Kod të ri Elektoral.

Nisma thuajse doli me sukses. Megjithatë, deri tani ka patur dy pasoja, që PD dhe PS nuk i kishin llogaritur, kur bashkëpunuan për Kodin Elektoral.

Së pari, Kodi rezultoi në një rezultat shumë të ngushtë në parlament. Të gjitha zgjedhjet e mëparshme në Shqipëri kanë dhënë fitore të qartë për njërën palë, të majtën ose të djathtën. Në 1997 PS dhe aleatët morën dy të tretat e mandatave; në 2001 PS dhe aleatët mori 60 për qind të mandateve; në 2005 PD udhëhoqi një aleancë që fitoi 73 vende në parlament. Në parlamentin e ri, PD dhe aleatët e saj kanë 71 vende, ndërsa e majta 69.

Së dyti, një parti e vogël ka mbijetuar - dhe është kthyer në lojtar kyç. LSI, e cila u themelua dhe udhëhiqet nga ish-kryeministri socialist, Ilir Meta, i dha Berishës një shumicë funksionale në parlament. Reagimi i PS ndaj këtyre ngjarjeve ka qenë i parashikueshëm: kreu i partisë, Edi Rama, e cilësoi zotin Meta si "patericë të Berishës" dhe marrëveshjen si më të turpshmen në 18 vitet e fundit.


Rama nuk është Obama


Pakënaqësia e PS ndaj Ilir Metës, që mendohet si kryeministri më i suksesshëm i partisë së tyre, shtohet me sa duket nga perceptimi se zgjedhjet u rrëshqitën nga duart për shumë pak gjë. Në fillim të vitit, sondazhet treguan 39 për qind përkrahje për PS dhe 30 për PD. Deri në mes të majit renditja e PS zbrit në 36, ndërsa PD u ngjit në 38 për qind, stimuluar më shumë nga anëtarësimi në NATO në prill. Sondazhi më i vonshëm, nga agjencia amerikane Zogby International, tregoi se 42 për qind e votuesve nën 35 përkrahnin PD, ndërsa 34 për qind PS. Kjo ishte kundër mendimit që zoti Rama, i cili është 45 vjeç dhe afërsisht 20 vjet më i ri se zoti Berisha, ishte më i pëlqyer nga të rinjtë.

Fatos Nano, themeluesi i PS, vazhdon të ketë një hije të gjatë mbi partinë. Ai dhe përkrahësit e tij e dominuan partinë nga 1990 deri më 2005, kur zoti Rama u bë kryetar i PS. Ai u përpoq ta largonte gardën e vjetër nga postet dominuese dhe të kthente ish-figurat socialiste në parti. Megjithatë, ai nuk ia arriti të rikthente Metën dhe duket se priste që Kodi Elektoral ta zvogëlonte ose zhdukte fare LSI. Në fakt, Kodi e vendosi Metën në një rol kyç - dhe ai e ka kaluar përkrahjen për zotin Berisha.

Kurs i qartë


Nga pikëpamja e politikave, ka shumë pak për të zgjedhur mes PD dhe PS. Të dyja kanë një platformë që synon integrimin evropian. I vetmi ndryshim thelbësor lidhet me Fondin Monetar Ndërkombëtar, me PS që është hapur në mbështetje të një marrëveshjeje me Fondin për të stabilizuar financat publike.

Zoti Berisha aplikoi për statusin e kandidatit për në BE në fund të prillit. Në atë kohë BE bëri të ditur se kërkesa do të varej nga përfundimi i zgjedhjeve. Fakti që OSBE ka vënë re parregullsi në zgjedhje, pavarësisht progresit në krahasim me vitin 2005, mund të ndikojë te krerët e qeverive të BE që të presin akoma më shumë, përpara se të kërkojnë nga Komisioni Evropian që të japë një opinion në lidhje me aftësitë e Shqipërisë.

Kjo mund të ndodhë në shtator ose ndoshta deri në publikimin e raportit vjetor për progresin në nëntor.

Megjithatë, Komisioni duket se do të pyetet për opinionin ndoshta diku pas gjashtë ose shtatë muajsh, e më pas Shqipërisë do i jepet një pyetësor voluminoz që mund të kërkojë 12 deri në 18 muaj që të plotësohet.

Për sa i përket financave publike, një rishikim i buxhetit duket i paevitueshëm - së bashku me të gjithë fqinjët e saj - Shqipëria e ka miratuar buxhetin e vitit 2009, përpara se ekonomitë e Evropës Lindore të nisnin një rënie të shpejtë.

Si rezultat, parashikimet për GDP janë shumë optimiste dhe projektimi i të ardhurave është shumë i lartë. Ekziston një mundësi e madhe që zoti Berisha do i qaset FMN për një kredi përpara fundit të këtij viti për të mbuluar rënien të ardhurave në buxhet. Në përgjigje të kësaj, Fondi do të kërkojë uljen e shpenzimeve.


Pozicioni i lëkundur i Berishës


Me një mazhorancë funksionale, ka pak arsye për të besuar se zoti Berisha nuk do i trajtojë si duhet këto çështje.

Të dhënat e qeverisjes së tij janë të mira: viti 2008 ishte viti i parë, kur Shqipëria nuk përjetoi ikje të energjisë, rrjeti rrugor i vendit është përmirësuar së fundmi në të mirë të qytetarëve dhe biznesit, anëtarësimi në NATO është arritur dhe rritja ekonomike ka qenë e shëndetshme në nivelin e 6 për qind.

Megjithatë, akuzat për korrupsion kanë qenë një burim i vazhdueshëm problemesh për PD. Një skandal madhor në parlamentin tjetër mund të ketë implikime serioze, zoti Meta mund të tërheqë mbështetjen e tij për PD dhe qeveria e zotit Berisha do ngelej e zbuluar.

Korrupsioni deri më tani mund të jetë potencialisht e vetmja arsye që do sillte largimin e LSI; një mosmarrëveshje për politika ose një ndryshim kabineti mundet gjithashtu të provojë një largim,

PD kërkoi përkrahjen e LSI, jo që të krijonte qeverinë, por të zvogëlonte mundësinë e marrjes peng nga ndonjë deputet i saj ose PS mund të bënte për vete ndonjë deputet të PD dhe kështu ajo humbiste shumicën. Nëse zoti Meta tërhiqet nga qeveria, ky rrezik do të dalë në sipërfaqe.

Një tjetër aspekt i ndryshimeve elektorale do të punojë në favor të zotit Berisha: vetëm votat konstruktive të mosbesimit lejohen në parlamentin e ri, që do të thotë se parlamenti duhet të ketë një kryeministër alternativ në të njëjtën kohë, ndërsa kërkon heqjen e atij në detyrë.

Padyshim kjo i jep zotit Berisha njëfarë sigurie. Prapëseprapë, duke parë balancën në parlament, ka një mundësi të mirë që qeveria e ardhshme demokrate të mos e mbushë gjithë mandatin katërvjeçar. Nuk ka qenë ky rezultati që krerët e partisë projektuan kur firmosën një radhë pikash "fituesi i merr të gjitha" në Kodin e ri Elektoral së bashku me PS.

burimi i marre nga shekulli.com.al

Nessun commento:

Posta un commento