
Partia Socialiste paralajmëron se nuk do të njohë zgjedhjet e 28 qershorit nëse Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk i jep kësaj force mandatin e nëntë në qarkun e Fierit. Pak orë pasi KQZ-ja vendosi të mos i numërojë nëntë kutitë e qarkut të dytë më të madh në vend, PS-ja thirri mbledhjen e kryesisë, në përfundim të të cilës kreu i kësaj partie, Edi Rama, bëri publik qëndrimin e selisë rozë. “Dua të rinënvizoj me shumë forcë atë çka kemi theksuar gjatë gjithë këtyre ditëve. Nuk do të lejojmë grabitjen e mandatit të 9-të në Fier. Maskarada e KQZ-së duhet të marrë fund, ashtu si kundër Sali Berisha, i cili e orkestron këtë maskaradë, duhet të heqë dorë nga ideja se mund të grabisë mandatin e 9-të të PS-së në Fier, nëse nuk do që PS-ja të mos i njohë zgjedhjet”, u shpreh kreu i PS-së. Sipas tij, është e patolerueshme që qeveria e re të nisë punën me grabitjen e zgjedhjeve. Rama theksoi se Partia Socialiste do të provojë se vullneti i zgjedhësve në 28 qershor është deformuar në disa qarqe të vendit. Në të njëjtën kohë kreu i PS-së akuzoi kryeministrin Berisha për shkarkimin nga puna të punonjësve të administratës në qarqet ku selia rozë ka fituar zgjedhjet. “Nga ana tjetër, dua t’i them Sali Berishës, që duhet t’i vijë turp për të gjitha masat represive, që pushteti i tij po merr në të gjitha qarqet ku ka fituar PS-ja, duke larguar njerëz nga puna, ende pa dalë rezultati. Ashtu si kundër duhet t’i vijë turp për studentin që u ndalua në komisariatin e Fierit, për të cilin u bë e pamundur dhënia e një provimi sot paradite”, theksoi më tej Rama, sipas të cilit, me këto masa, do të jetë e pamundur për Berishën e Metën të qeverisin vendin. Por në të njëjtën kohë, kreu i PS-së ka hedhur poshtë deklaratën e një dite më parë të kryetarit të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, sipas të cilit Rama i ofroi postin e kryeministrit dhe blerjen e disa deputetëve nga Partia Demokratike. “Pas asaj që Ilir Meta bëri, askush nuk duhet të çuditet nga ato që Ilir Meta thotë. Dyfytyrësia e Ilir Metës doli në pah në një përmasë që askush nuk mund ta përfytyronte. Për fat të keq, 83 mijë njerëz që e votuan Ilir Metën për të hequr Sali Berishën, u kthyen në një mall, që Ilir Meta u shiti për të blerë karriget e palo qeverisë që po rreket të formohet përmes kësaj marrëveshje. Kjo bëmë flet më shumë se gjithçka! Ilir Meta është i pabesueshëm në gjithçka thotë. Ndërkohë, unë e mohoj me neveri atë që ai ka thënë konkretisht, lidhur me pyetjen tuaj dhe faktin tërësisht të pavërtetë, se paska pasur një ofertë nga PS-ja”, u shpreh Rama. Sipas tij, “duhet të jeni të sigurt, se PS-ja është një familje e madhe dhe e shëndetshme politike. Pa asnjë dyshim, ne jemi të vetëdijshëm për gjithçka kemi bërë e për gjithçka që pritet të bëjmë. Ndërkohë, që ju siguroj ju dhe gjithë të tjerët, se rezultati i këtyre zgjedhjeve, i cili për ne nuk ishte i mjaftueshëm, nuk do të bëhet dot alibi për askënd që ta kthejë mbrapa Partinë Socialiste”. Në fund kryetari i Partisë Socialiste theksoi se kjo forcë do të ketë si objektiv kthimin në alternativë qeverisëse, duke përsëritur tezën e hedhur prej vetë atij se në 28 qershor PS-ja ishte forcë e parë në vend. “Ashtu si kundër, pas marrëveshjes së pistë mes Sali Berishës dhe Ilir Metës, ne sot kemi vetëdijen se jemi shtëpia e madhe e të gjithë socialistëve e progresistëve dhe vendi ku do të gjejë vendin e tyre, jo vetëm ata që ishin me ne në 28 qershor, por edhe ata që nga 28 qershori dolën të tradhtuarit e mëdhenj”, përfundoi Rama.
burimi marre nga panorama.com.al
Nessun commento:
Posta un commento