BBCAlbanian.com | News | Albanian News index

mercoledì 8 luglio 2009

Konventa e LSI: Meta të negociojë me Berishën për Qeverinë, vetëm Xhufi e Klosi dalin kundër



Konventa e jashtëzakonshme e LSI-së mandaton Ilir Metën të nisë negociatat me kryeministrin Berisha për qeverinë e re. E mbledhur dje pasdite në sallën e Teatrit të Operës dhe Baletit, anëtarët e Konventës Kombëtare diskutuan rreth mundësisë së bashkëpunimit të LSI-së me Partinë Demokratike në një qeveri e cila është cilësuar si qeveria e Integrimit të Shqipërisë. Në fjalën e tij, kryetari i LSI-së, Ilir Meta, argumentoi të gjitha opsionet që i paraqiten LSI-së në këtë moment politik dhe historik për vendin dhe i ftoi të pranishmit të shprehnin mendimet e tyre rreth këtij vendimi.
Pasi argumentoi para anëtarëve të Konventës të gjitha përpjekjet që LSI kishte bërë për të bashkëpunuar me Edi Ramën dhe kishte marrë prej tij vetëm agresion dhe përpjekje për ta shfarosur LSI-së nga jeta politike e vendit, Meta tha se, “në koalicion me PS-në vendi do të ketë vetëm kriza”. “Interesave të këtij mafiozi nuk mund t’i shërbejë Ilir Meta, dhe nuk e lidh asgjë më me të, dhe e bëjmë të qartë se vetëm largimi i tij nga jeta politike mund të vendosë marrëdhëniet personale dhe shoqërore, ndaj asaj masakre që organizoi kundër votës suaj dhe votës së LSI-së. Të bashkohemi ne me atë, kur të gjithë aleatët e tij parazgjedhorë e akuzojnë atë për vjedhjen e votave. Çfarë morali ka këtu?”, u shpreh Meta. Kreu i LSI-së u shpreh më pas se, “ne do të ecim përpara sipas mendimit tim, sepse nuk jemi krijuar ne për të qenë bisht i PS-së, dhe aq më tepër e lidershipit të saj”. Nënkryetari i LSI-së, Pëllumb Xhufi, nuk ishte dakord me kohën e shpejtë të pranimit të ftesës së bërë nga ana e kryeministrit Berisha bërë LSI-së për të bashkëpunuar në qeverisjen e ardhshme. Madje, ai hodhi dhe idenë e mospjesëmarrjes në qeveri, por vetëm të bashkimit të votave deri në krijimin e një qeverie teknike. Edhe Fatos Klosi shprehu rezerva për këtë bashkëpunim të LSI-së me PD-në, pasi, sipas tij, bashkëpunimi me PD-në është i dëmshëm për LSI-në dhe për vendin. Drejtues të lartë të LSI-së kanë mbështetur vendimin e kryesisë së kësaj partie për të negociuar dhe bashkëpunuar me kryeministrin Berisha. Vasili, Prifti, Braho, Haxhinasto, Axhemi, Xhixho, Kodra dhe të tjerë mbështetën përfshirjen e LSI-së në qeverinë e re, duke zbatuar Planin e saj të Veprimit. “Përpjekjeve për të na kthyer dhe të bëhemi një faktor krize, ne besoj se do iu përgjigjemi me gjithë këtë emancipim që ka sjellë kjo forcë e re politike në Shqipëri, që nga krijimi i saj. Është një forcë që gjithmonë ka sjellë risi, që i ka shërbyer demokracisë, që i ka shërbyer zhvillimit të vendit. Dhe jam i bindur që jemi në prag të një risie të jashtëzakonshme dhe të veçantë. Në fund të fundit nuk jemi ne hartuesit e këtij Kodi, sepse në çdo rast ky kod imponon koalicione. Dhe përveç produktit elektoral të këtij kodi, koalicioni më i mundshëm për të krijuar një maxhorancë stabilizuese në vend, është pikërisht koalicioni PD-LSI”, u shpreh Meta, duke iu përgjigjur dy kolegëve të tij që nuk mbështesnin vendimin e shumicës në Konventë. Sipas tij, “rruga ku duhet të ecim është rruga e zgjidhjes dhe jo rruga e krizës. Është rruga e stabilitetit dhe jo rruga e destabilitetit”.
Zv.kryetari Xhufi: Jo pjesëmarrje në qeveri
Nënkryetari i LSI-së, Pëllumb Xhufi, votoi kundër bashkëpunimit me PD-në në qeverisje, duke e cilësuar vendimin për pranimin e ftesës së Berishës të nxituar. “Jam nga ata që nuk më duket bashkëpunimi me kryeministrin Berisha një tragjedi. Kam qenë shumë vite jashtë shtetit dhe njoh bashkëjetesa të tilla. Por për rastin tonë, mendoj se u dogjën kohët, sepse kishim lënë që bashkëpunimin me koalicionet ta diskutonim pasi të kishim përfunduar ankimimet për zgjedhjet dhe të dilte rezultati përfundimtar. Mendoj se ka dhe mënyra të tjera që të mbështesim qeverinë, por jo të përfshihemi në të. Mund të votojmë qeverinë dhe ligjet e saj, por jo të përfshiheshim në qeverinë e Berishës”, u shpreh Xhufi.
burimi marre nga panorama.com.al

Nessun commento:

Posta un commento