
Ben Blushi thyen heshtjen dhe flet hapur. “Rama duhet të pranojë humbjen, zgjedhjet janë humbur nga kauza e gabuar dhe politika e personalizimit të një beteje të përbashkët”. Kështu është shprehur Blushi në një intervistë ekskluzive për “Panorama”. Për herë të parë një eksponent i PS-së pranon se nuk mund të fajësohen komisionerët socialistë për humbjen, por mungesa e programit që PS-ja nuk e kishte në këto zgjedhje. Blushi shton se tanimë nuk flitet për karrierën e secilit, por për fatin e opozitës, e cila duhet të priret nga e vërteta dhe jo mohimi i saj.
Z.Blushi, PS-ja ka nisur një fushatë kontestimesh të zgjedhjeve duke kërkuar rinumërim të votave në Berat, Tiranë dhe Shkodër, ndërsa kryetari Rama ka paralajmëruar publikisht se nuk do t’i njohë zgjedhjet dhe Parlamentin e ri. Cili është qëndrimi juaj për atë çfarë po ndodh tani me PS-në?
Edi Rama duhet të pranojë humbjen dhe t’iu shpjegojë socialistëve se si ka mundësi që nuk solli në pushtet partinë më të madhe në Shqipëri. Çdo përpjekje për të nxjerrë opozitën jashtë Parlamentit do të ishte një vetëvrasje për PS-në, e cila nuk mund të kthehet në pushtet duke imituar PD-në dhe Sali Berishën e vitit 2000. Filozofia e kryetarit të PS-së ka dështuar dhe për këtë nuk mund të fajësohet PS-ja dhe aq më pak komisionerët në të gjithë Shqipërinë. Këto zgjedhje nuk i kanë humbur komisionerët, siç po interpretohet paturpësisht, por kauza e gabuar dhe politika e personalizimit të një beteje të përbashkët. Ajo që po ndodh pas 28 qershorit në PS është një nga aktet më të shëmtuara në historinë e kësaj partie.
A keni komunikuar ju pas zgjedhjeve me z.Rama dhe a i keni kërkuar atij të pranojë humbjen dhe rrjedhimisht të pranojë pasojat siç është e shkruar dhe në statutin e PS-së, pra largimi i tij nga drejtimi i PS-së?
I kam kërkuar Edi Ramës të pranojë humbjen dhe po pres që kjo të kryhet me dinjitet, sepse tanimë nuk bëhet fjalë për karrierën e secilit prej nesh, por për fatin e opozitës, e cila duhet të konsiderohet si garant e lirisë në çdo vend demokratik, prandaj opozita duhet të priret nga e vërteta dhe jo nga mohimi i saj për qëllime meskine. Në këtë humbje ne të gjithë kemi përgjegjësitë tona, sepse kemi heshtur kur duhej të flisnim dhe kemi folur kur duhej të heshtnim, por unë nuk mund të pajtohem me Edi Ramën, që thotë se “tani që partia humbi, unë jam më i fortë se kurrë”. Po pres mbledhjen e forumeve të partisë për të dëgjuar të vërtetën e kolegëve dhe të miqve të tjerë dhe për të thënë dhe unë të vërtetën time.
Si do t’iu përgjigjeshit ju mbështetësve të z.Rama në PS, të cilët argumentojnë se nuk mund të flitet për dorëheqjen e z.Rama, pasi PS-ja ka marrë më tepër vota se në 2005 dhe rezulton partia më e votuar nga zgjedhjet e 28 qershorit?
Zgjedhjet e 28 qershorit ishin zgjedhje të përgjithshme, për të cilat çdo parti përgatitet në katër vjet dhe ato nuk mund të trajtohen si zgjedhje të pjesshme ose lokale, sepse tani kemi humbur Shqipërinë dhe jo Kasharin. Prandaj duhet t’i drejtohemi Shqipërisë duke shmangur kasharizimin e PS-së. Me kasharizim kuptoj faktin që zgjedhjet fitohen në radhë të parë me programe dhe pastaj me komisionerë. Partia Socialiste priste në këto zgjedhje një program që mblidhte vota dhe tani nuk mund të fajësohen komisionerët që nuk administruan dot votat që duhet t’i mblidhte një program që nuk e kishim. Ky është kasharizmi, kundër të cilit do jem gjithmonë për shkaqe lirie. Kasharizim do të thotë ta trajtosh humbjen si fitore dhe unë jam kundër kësaj për shkak të parimeve. Kasharizim do të thotë ta trajtosh humbjen si një ditë të zakonshme dhe unë do të jem kundër kësaj për shkak të PS-së.
Rama në fitoren e Vlorës me kryebashkiakët e PS-së
Kryesocialisti Edi Rama ishte dje i pranishëm në tribunën VIP të stadiumit “Flamurtari” të Vlorës në ndeshjen ndërkombëtare për “Europa League” me skuadrën skoceze të Madhëruellit. Rama ka qenë në krah të kryetarit të Bashkisë së Vlorës, Shpëtim Gjika, i cili e kishte ftuar të shijonin bashkë ekipin që qyteti bregdetar kishte përgatitur për këtë sezon. Kryetari i Bashkisë Tiranë dhe njëkohësisht kryesocialisti ka marrë pjesë në festën e vlonjatëve për shkak të fitores që ky ekip arriti dje. Në tribunën VIP ishin prezentë dhe kryetari i Bashkisë së Elbasanit Qazim Sejdini dhe kryetari i Bashkisë Lushnje, Albert Sanxhaku, të dy si presidentë të ekipeve respektive të futbollit, Elbasanit dhe Lushnjës. Mësohet se para ndeshjes, Gjika ka shtruar dhe një drekë për Ramën dhe kolegët e tij bashkiakë.
Nessun commento:
Posta un commento