Do shikosh të famshmin Paris, ku babai 40 vjet më parë flinte pa ngrënë, se s’kishte lek Në këto faqe nuk duket as hija e diktatorit. Është një
burrë normal në moshën e
tretë, që zgjohet herët, që
luan me nipërit e mbesat, që
numëron çdo detaj të rritjes
së tyre, që nga çapat e parë,
tek fjalët, veprimet…, që
luan me letra me vajzën e
dhëndrin e që kupton se
pleqëria ka mbërritur e ka
nisur të përsërisë biseda, si
dikur xhaxhai i tij. Ai
shfaqet si një prind i dhembshur
e një gjysh gati i marrosur.
Përmes fletëve të ditarit,
ku ai shkruan për të
mbesën, dalin në dritë edhe
të tjera detaje për jetën familjare
të Hoxhës, për marrëdhënien
e tij me bashkëshorten,
Nexhmijen, me të
birin Sokolin dhe nusen Lilianën.
Fletë të tëra janë të
mbushura me letërkëmbimin
mes tij dhe Sokolit
(Tolit) gjatë kohës që ai ishte
për kurim në Paris. Krahas
merakut të prindit, në
këto letra e telegrame dërguar
në Paris, Enver Hoxha
shpreh nostalgjinë për kohërat
e rinisë, ato vite, kur
ai endej rrugëve të Parisit e
kur shpesh i ndodhte, siç
shkruan edhe vetë, të flinte
edhe pa ngrënë për shkak se
i mungonin të ardhurat.
“Gjyshi i Valbonës” është
një libër, ku rrallë herë
ndesh fjalën parti, apo Byro
Politike. Përmenden shumë
pak punët e shtetit, por
shpesh ndesh fjalën popull
dhe një lloj meraku i tij për
të. Al.mi
E ENJTE,
1 JANAR 1976
Valbona ime e dashur,
gazi i zemrës sime! Sa të
gdhihet sot, të vij të të puth
e të të marr erën më të këndshme,
që kam nuhatur
ndonjëherë në jetën time
(veç atë të Nexhmijes, nënës
tënde të dashur, por mos ia
thuaj kujt, se po ta them në
vesh). Në mbrëmje, pasi u
ktheva nga ora 22 nga Shtëpia
e Partisë, ku ishim
mbledhur të festonim Vitin
e Ri, më falën atje një kukull
të bukur, e vura te krevati
im, që kur të vije në mëngjes
ta gjeje. Ti sonte flije në odën
afër odës së gjumit tim, pasi
të “rrëmbyem” nga lart, se
Sokoli ishte me grip. Mirëpo,
s’më rrihej, se të kisha
pranë. U ngrita në gjashtë e
gjysmë të mëngjesit të Vitit
të Ri, hapa derën avashavash.
Ti flije. T’u afrova te
krevati, të bëja sehir. Kishe
ngritur bythçkat, t’i mbulova
dhe të mora erën që më
marrosi.
Ika në majë të gishtërinjve
dhe shkova në banjë, e u
rrova e u lava, duke mbajtur
veshin se mos zgjoheshe.
Kur mbarova, dëgjova
këngën tënde të bukur. Bërtita:
“Erdhi gjyshi, erdhi
gjyshi!”. Ti lëshon zërin e
bukur, kur më thërret, që
nuk e shkruaj dot, por në
magnetofon e kam regjistruar.
Erdha dhe të dhashë
kukullën. Ti e shtyve me
doçkat dhe më hodhe duart.
Sa më gëzove moj shpirti im,
ti më the hapur me gjeste:
“Ç’e dua kukullën, unë dua
gjyshin!”. Zemra ime, të
çova tek Nexhmija. Të rrosh
e lumtur, e gëzuar e dashur
me popullin dhe të gjithë
ne, u bëfsh trimëreshë e zgjuar,
e mësuar dhe punëtore.
Të më rritesh e shëndetshme,
kurrë mos
sëmuresh, se kur sëmuresh
ti që të zë ndonjë çikë kolla,
sëmuret dhe gjyshi. Kur të
dhemb ty diçka, i dhemb
dhe gjyshit, prandaj, kur je
ti shëndoshë, edhe gjyshi
është si çelik. Më vonë do t’i
kuptosh çka po të them më
poshtë. Sot në ditën e Vitit
të Ri, që kur hapa sytë, mendova
për partinë dhe popullin
tonë të dashur, për Nexhmijen
time të shtrenjtë, për
ty dhe Ermalin. Unë mendova
për të gjithë, edhe për
Sokolin e për Lilianën që të
bënë ty, për lumturinë e tyre
dhe të gjyshit. Prandaj i
duam shumë si ti dhe ne.
Qoftë Viti i Ri i lumtur e i
gëzuar vajza ime!
E MARTË,
6 JANAR 1976
Valbonushi na kënaqi, e
shoh në mëngjes, më vjen në
krevat, o në studio, para se
të shkoj në zyrë. E marr në
duar, por dridhet e përdridhet,
do të kapë çdo gjë. Muzikën
myzeqare e ka shumë
qejf, merr shaminë time dhe
e tund. Mollën e do shumë
t’i fusë dhëmbët, që i janë
bërë pesë deri tani. Po ia
hoqe mollën nga dora bën
kujën. Hiqet në dhomë si
tren dhe kur e pengon njëra
këmbë e tutës, ndal kursin
dhe e liron vetë.
E SHTUNË,
17 JANAR 1976
Valbona është mirë,
vazhdon ta ngasë nga një
çikë kollë, por nuk mërzitet
së luajturi e së bërtituri.
Sokolit i vazhdon ca temperature
37-37,5, 37,8. Kjo
na ka shqetësuar. Të ftohurit,
“si konsekuencë” e operacionit,
na thonë. Ka
mbledhur ujë dhe e grinë në
antibiotikë, nga 6 në 24 orë,
që t’i absorbohet.
E MARTË,
20 JANAR 1976
Valbona e shtrenjtë, sot
na iku babi dhe mami për
në Paris. Vajti babi të shërohet.
Sa keq na erdhi kur u
ndamë me ta. Por as ti, as
unë nuk e bëmë veten, qëndruam
si burrat që të dy. Ti
e dashura ime sikur diçka
ndieje, pasi edhe Sokolit iu
qepe, por sidomos Lilianës.
Ti e puthe Lilianën disa
herë, këtë s’e ke bërë kurrë
për asnjë nga ne; vetëm në
fotografi na ke puthur. Por
të venë e të vinë me shëndet.
Babi i dashur do vijë krejt i
shëruar, vetëm do i marrë
malli shumë, sidomos për
ty.
E MËRKURË,
21 JANAR 1976
Telegrame marrim dy
herë ditën nga Sokoli në Paris.
Lajmet na gëzojnë
shumë, sepse e pa Miliezi, e
shtroi në klinikën e tij në
Broussai dhe e kontrollon
çdo ditë. Ditën e parë Miliezi
tha se nuk shqetësohej
për sëmundjen e djalit. I filluan
analizat dhe rezultoi
se nga barku, nga diafragma
çdo gjë është në rregull.
Sokoli është me humor të
mirë, fle mirë dhe temperatura
nuk i është ngritur më
tepër se 37,4, domethënë
nga 37,1-37,4. Fle mirë dhe
Liliana është mirë, fle dhe
ajo në një dhomë në Broussai.
U qetësuam shumë, se
kishim bindjen se çdo gjë
djalit do i kalonte, por prapë
ishim në ankth dhe veçanërisht
nga një injeksion i mbetur
nga operacioni. Tan
vazhdojnë analizat.
24 JANAR 1976
Shumë të shtrenjtë Toli
dhe Liliana!
Ju shkruaj nga zyra,
mbarova punën dhe fillova
t’ju shkruaj këto rradhë, t’ju
dërgoj shumë të puthura
dhe t’ju them gëzimin tim që
ndjeva kur lexova telegramin
e dje pasdrekes.
Unë e mora sot në
mëngjes nga ora 8, e hapa
dhe e lexova lajmin e gëzuar:
temperatura dje pasdreke
36,3, apo 4, tensioni
në rregull. Ndërsa këshillat
që të mos e puthim dhe të
mos e shqyejmë shumë Valbonën,
të papranueshme.
Të dashur Lilianë e Toli,
mu çel oreksi dhe hëngra
trahana me shumë qejf. Sa
keq që nuk patëm kohë ose
nuk u kujtuam t’ju jepnim
me vete. Nëna priste poshtë
lajmin e gëzuar, ia dërgova
me Kostën. Nexhmija flinte
dhe në orën 9, para se të vija
në zyrë, u ngjita dhe mora
pëllumbeshën, e shqeva së
puthuri. E putha për Lilianën,
për ty dhe për vete.
Prandaj dhe nga gëzimi u
tejkalua masa. E mora në
duar dhe i thosha: “Lajm i
mirë Valbona nga Kokoli”,
dhe ajo vazhdimisht thërriste:
“Ko-kol, Ko-kol”.
Shkuam te dera e mamasë
dhe ja vura telegramin
në dorë. Ia dha ajo mamasë,
e cila nga gëzimi i madh, as
e mori fare parasysh
këshillën tënde, por e shqeu
së puthuri.
E gëzuam dhe në mes të
zallamahisë e pyeta: “Ku e
ke xhan Kokolin?”. Ajo harroi
ta vinte dorën në gjoks,
por kujtoi se i thashë: “Ku
të bëri cak-cak doktori?”
dhe e vuri dorën atje ku di
ti. U shkulëm së qeshuri. Ty
mos të të vijë rëndë, se mos
t’u ul dinjiteti, por ishte një
gabim nga Valbona, i pandërgjegjshëm.
Të gjithë ju
falen, ju puthim dhe ju
përqafojnë si dhe unë.
Babai juaj që ju do
shumë!
27 JANAR 1976
Të dashur dhe të shtrenjtë
Toli dhe Liliana!
Ju puth dhe ju përqafoj
me mall. Është ora 18.00,
koha e gjumit të Valbonës.
Deri tani luajtëm me të, luajti
me kasetat e magnetofonit
dhe stilografët e mi.
Ajo nuk i do më kalemat (të
zinë dhe të kuqin). “Hipi
pjaca”, si thonë në
Gjirokastër. Vajza do të lozë
me stilografët.
Zinxhirit të verdhë, ia
“ka pirë ujët”. Por çfarë
vesh të hollë ka! Me të dëgjuar
një çikë “tring-tringet”
e çelësave të kasafortës, lëshon
zërin dhe dëfren, ashtu
si e imagjinoni ju, dhe thotë:
“nai”. Dhe unë ç’bëj? Natyrisht
ia jap. Ju do të më shani,
pse e përkëdhel, por nuk i
refuzoj gjë xhanit tonë. Mos
kini merak se avash-avash
Valbona po rritet dhe babai
po bëhet më i matur.
Toli jonë i dashur, jemi aq
të gëzuar që ty të kemi mirë.
Çdo drekë presim telegrame
nga shoku Laman dhe marrim
çdo ditë lajme të mira.
Sa gëzuam kur lexuam se
je ngritur dhe po shëtit në
dhomë. Mos u mërzit dhe ca
ditë, sa të bëhet krejt e mira,
pastaj do dalësh nga klinika
dhe do shikosh të famshmin
Paris, ku babai 40 vjet
më parë, shumë herë flinte
pa ngrënë, se nuk kishte
lekë. Por sidoqoftë, duhet ta
vizitosh dhe të shohësh
disa gjëra historike, që kur
të vish të m’i rikujtosh, se
edhe i kam harruar, vite të
shumta kanë kaluar.
Ka dy ditë që bie shi i
mirë, nuk na bën dëm, liqenet
e hidrocentraleve janë
mbushur plot dhe të gjitha
turbinat punojnë. Të mërzita
ty dhe Lilianën, duke ju
shkruar, por shyqyr që nuk
i keni lexuar akoma. Vetëm
kur të vini do ta ha ndonjë
kritikë nga ju veçanërisht
për kaligrafinë dhe përsëritjet.
Përpiqem që të mos
përsëris, por pleqtë harrojnë
që e kanë thënë një gjë
shumë herë. Ty të kujtohet
xhaxhai? Kurdoherë që vija
te dhoma e zjarrit dhe i
thosha si më thua ti: “Ë
ç’kemi ndonjë gjë?”, ai fillonte
nga historitë që m’i
kishte thënë me qindra herë.
Unë i thosha: “Është e
gjatë xhaxha?”. Ai qeshte
dhe më thoshte: “Jo, do e shkurtoj”.
Këtë gjë ju e dini që
më ngjet edhe mua, gjatë
darkës kur ju them ndonjë
ndodhi të jetës sime. Mamaja
kërcen dhe më thotë:
“Histori e njohur, mos e
përsërit 100 herë, se e dinë
fëmija”. Por siç e dini zakonisht
unë them histori për
të qeshur, vetëm se i zgjat.
Ndonjëherë i kam me seri
dhe jo gjëra filozofike si të
xhaxhait. Prandaj, tani, e
shoh vetë që u zgjata, por
më duket sikur ju kam afër,
në bangon e bukës dhe bisedoj
me ju, se më ka marrë
shumë malli. Mamaja ka vajtur
sipër, te Klemi e te Pranvera.
Të gjithë jemi shumë
të gëzuar që të kemi mirë.
Me Klemin dhe me Pranverën,
bëjmë pasdreke nga
një pesëqindësh. Asnjë herë
s’më kanë mundur, plasën
të më mundin dhe të siguroj
se nuk ju kam bërë asnjë
hile.
E SHTUNË,
28 GUSHT 1976
Kaq fletë janë të bardha.
Valbona, xhani im, mos
mendo se kam përtuar të shkruaj
për ty. Jo zemra ime.
Por në pushime nga Pogradeci,
unë i shkrova
shumë letra nënës, Pranvës,
e më vonë Lilianës, Sokolit,
Lilos, Teutës dhe Ermalushit.
Letrat e mia ishin mbushur
me ty, që nga fillimi, deri
në fund. Po t’i rradhitësh
ato letra, ky defter mbushet
plot, prandaj kur të rritesh
dhe do të çmallesh me gjyshin,
kërkojua, bëj nga një
kopje, se origjinalin nuk ta
japin ata, dhe ngjitja defterit.
Po tash moj vashëza ime
e ëmbël, ç’të shkruaj më
parë, kam aq gjëra të mira,
të bukura për ty, sa e kam
zor të zgjedh. Ti mund të
thuash “po shkruaji të
gjitha gjyshi, se më duhen
mua kur të rritem”. Ke
shumë të drejtë vajza ime,
po gjyshi tënd këtë punë po
bën gjithë ditën. Shumë
punë duhet të bëjë për popullin,
shumë gjëra duhet të
D I T A R I I D I K T A T O R I T
K U J T I M E
Një ditar i rregullt, ku nuk harron dhe detajet më të imëta
Hoxha: Po afron pleqëria,
kam filluar të lodhem
“Do shikosh të famshmin Paris, ku babai 40
vjet më parë flinte pa ngrënë, se s’kishte lekë”
shkruaj, por mos harro se
më vjen dhe pleqëria, ka
ditë që edhe lodhem, po ty
dhe Ermalin s’ju harroj.
Dua t’u them se kur më vini
në studio, në dhomën e
gjumit, ose të bukës, kur vij
te dhoma juaj, ose kur bëni
“kulu, kulu” në banjë,
bëhem më i ri dhe shlodhem.
Të puth! Më të
shumtat e herës nuk më
kundërshton, kur unë të
them: “Të keqen moj Boni,
më jepë çikë gushën e faqen
t’u marr erën, se më vdiq
malli” dhe ti mi jep me
rradhë dhe unë të meris si
atë gonxhen e bukur të
lules më të bukur që mbin
toka. Ti tash thua një barrë
fjalësh, të gjithë i thërret në
emër, port ë transformuar,
vetëm Tolin dhe Gucin e
flet mirë. Gjyshin e nënën,
po e po. Çdo gjë që të themi
e kupton dhe e zbaton,
ndonëse vetëm fjalë të shkëputura
thua, por idenë e
shpreh “Boi kulu-kulu”,
“Boi nani-nani”, “Mamipunë”.
Gjyshi shkruan, ti
bën sikur shkruan në dorë,
zogjtë i do shumë dhe librat
e mi me ta, i ke kurdoherë
me vete. Qejf ke fustanet e
bukura! E po vajzë je, por
gëzimi im është kur vjen
dhe m’i ekspozon, me atë
buzëqeshjen tënde, që çel si
dielli dhe ngroh zemrën
time. E di Valbona, nuk i
shkruaj dot njëherësh të
gjitha, po do t’i shkruaj në
vazhdim, do përpiqem të
mos lë fletë të bardha.
E SHTUNË,
16 TETOR 1976
Sot kisha ditëlindjen.
Çdo vit e “mblidhet lëmshi”,
siç thoshte Aneja, por
jam mirë dhe do rroj më
shumë se Aneja dhe xhaxhai,
për t’i shërbyer popullit.
Erdhën shokët e Byrosë
Politike, të Presidiumit dhe
të Qeverisë e më uruan.
Më erdhën edhe Valbona
me Ermalin, si dy pëllumba.
Valbona mbante në
të dy duart peshqeshin e
parë që i bënte gjyshit, një
sahat që e ka ndërtuar Sokoli,
si dhe një metronome nga
ana e saj. Ermalushi, si pionier,
erdhi më dha letrën
dhe peshqeshin e tij, një
radio të vogël japoneze. I
putha xhanet dhe u
kënaqëm.